“Po cenohet dinjiteti”/ Familjarët e Mimoza Ahmetit kërkojnë ndërhyrje urgjente për fyerjet ndaj saj në Ferma Vip

Familjarët e poetes Mimoza Ahmeti kanë reaguar publikisht lidhur me mënyrën se si ajo po trajtohet në spektaklin televiziv “Ferma VIP”.
Në reagimin e tyre në rrjetet sociale, ata shprehen të shqetësuar se ndaj saj përdoret gjuhë fyese dhe sjellje që, sipas tyre, cenojnë dinjitetin personal dhe figurën e saj si artiste, grua dhe nënë. Ata pretendojnë se disa deklarata të konkurrentëve kanë tejkaluar kufijtë etikë dhe janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale.
Familjarët ngrenë gjithashtu shqetësimin se produksioni nuk ka ndërhyrë për të ndalur situatat problematike, duke lejuar vijimin e sjelljeve të tilla gjatë programit. Sipas tyre, edhe në transmetimet live poetja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë dhe shpesh nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të shprehur qëndrimet e saj.
Në fund të reagimit, ata kërkojnë që të ndalet gjuha fyese dhe të garantohet një trajtim më i drejtë dhe dinjitoz për të gjithë pjesëmarrësit në formatin televiziv.



