Aksidenti tragjik në Durrës, Braçe kërkon ndryshime në Kodin Penal: Të trajtohet si vrasje me dashje

Politikë

Aksidenti tragjik në Durrës, Braçe kërkon ndryshime

Erion Braçe ka folur në seancën plenare të kësaj të hëne, duke u ndalur te aksidenti tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Ai ka kërkuar ndryshime në Kodin Penal, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk duhet të konsiderohen thjesht si shkelje të rregullave të qarkullimit, por si vepra penale shumë më të rënda. Sipas tij, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur dhe me pasoja fatale duhet të trajtohet si “vrasje me dashje”.

Braçe kritikoi ashpër edhe mënyrën se si trajtohen aktualisht këto raste, duke deklaruar se shpesh personat e përfshirë procedohen në gjendje të lirë dhe rikthehen sërish në rrugë, pavarësisht rrezikshmërisë.

Ai shtoi se masat ekzistuese, si heqja e pikëve të patentës apo gjobat, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.

Sipas deputetit socialist, është e domosdoshme një reformulim i Kodit Penal për të forcuar ndëshkimet ndaj rasteve kur drejtimi i pakujdesshëm apo në gjendje të dehur sjell humbje jetësh.

Fjalët që duhet të thuhen këtu duhet të kenë logjikë. Nëse ka një qeveri që në dy kohë të ndryshme ka dhënë naftë pa akcizë dhe pa lekë fare, është qeveria Rama dhe Nano. Unë u çova për tjetër hall, dy familje përcollën sot pa shpirtin e tyre. Kush ka fëmijë e di mirë. Një i tretë ka një traumë të rëndë emocionale dhe mendore. E gjitha pasojë e një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua dhe asnjëherë aksident apo shkelje të rregullave.

Është një ngjarje e përsëritur. Dje kam publikuar një video ashtu siç ishte, për të refuzuar normalizimin e një krimi të tillë. Kodi penal e normalizon një krim të tillë. Një i pirë, jo thjesht i dehur, për më keq pastaj që nget një makinë në rrugë, ndonjëherë shoqërohet dhe dërgohet në paraburgim.
Pastaj lirohet pas 2 ditësh dhe procedohet në gjendje të lirë. Morali është që ti mund të pish, të dehesh, të ngasësh makinën, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente. Dhe në rast se ke para, paguan dyfishin e gjobës dhe nuk të pezullohet patenta.

E bën një herë, dy herë, mund të shkosh deri në 18 muaj ndalim patente. I hiqen vetëm 10 pikë në patentë. Ndërkohë ai po hetohet për shkelje rregullash, largim nga vendi i aksidentit. Është profili i një të forti që dehet dhe vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, është vrasje. Nëse ne duam të bëjmë diçka, është që të reformulojmë Kodin Penal, aktet si vrasje me dashje”, u shpreh Braçe.

 

 

ME TE LEXUARAT