“Jemi gati për veprim!”, Trump paralajmëron se SHBA do ndërhyjë nëse Irani vret protestuesit! Përgjigjet Teherani

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar autoritetet iraniane që të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke deklaruar se Uashingtoni “do t’u vijë në ndihmë” nëse ata vriten. Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Trump shkroi se SHBA është “gati dhe e përgatitur”, por pa dhënë detaje konkrete mbi veprimet e mundshme.
“Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndihmojnë.”, shkroi presidenti i SHBA.

Reagimi nga Teherani ishte i menjëhershëm. Ali Larijani, këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se çdo ndërhyrje amerikane do të sillte kaos në të gjithë Lindjen e Mesme dhe do të dëmtonte interesat e SHBA-së.
“Trump duhet të jetë i kujdesshëm. Trump duhet ta dijë se ndërhyrja e SHBA-së në këtë çështje të brendshme do të thoshte destabilizim i të gjithë rajonit dhe shkatërrim i interesave të Amerikës”, u shpreh ai.
Paralajmërimet vijnë në një kohë tensionesh të shtuara, ndërsa në Iran janë raportuar të paktën gjashtë viktima gjatë ditës së enjte, në ditën e pestë të protestave masive të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe rënia e fortë e monedhës vendase, rialit, kundrejt dollarit amerikan.
Sipas raportimeve, të paktën 6 persona u vranë në Iran të enjten, pas pothuajse një jave protestash masive të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve ekonomike.
Protestat nisën të dielën në Teheran, fillimisht nga tregtarë të zemëruar për rënien e monedhës, dhe u përhapën shpejt në universitete dhe qytete të tjera, ku u dëgjuan thirrje kundër udhëheqjes klerikale. Disa protestues kanë kërkuar fundin e sundimit të Khamenei-t, ndërsa të tjerë kanë shprehur dëshirën për rikthimin e monarkisë.
Këto janë protestat më të përhapura që nga kryengritja e vitit 2022 pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini-t, megjithëse jo në të njëjtën shkallë.


