Kaos në Milano për shkak të rregullave të reja, avioni lë 100 pasagjerët në aeroport

Rreth 100 persona mbetën të bllokuar këtë të dielë në Milano pasi avioni për në Manchester u nis pa ta.
Ata duhej të udhëtonin me një fluturim të EasyJet këtë të dielën, por u përballën me radhë deri në tre orë në aeroportin Linate të Milanos për shkak të kontrolleve kufitare.
Pasagjerët e mbetur në aeroport thanë për BBC-në se njerëzit po villnin dhe po humbnin ndjenjat nga vapa dhe tani nuk dinin si do të ktheheshin në shtëpi.
EasyJet tha se po përpiqej të mbështeste pasagjerët, por për kompaninë situata ishte: “jashtë kontrollit tonë”.
Një pasagjere britanike 17-vjeçare, e quajtur Kiera, tregoi se asaj dhe të dashurit iu desh të prisnin 20 orë në aeroport derisa të rezervonin një fluturim për ditën tjetër. Ajo tha se i kishte kushtuar nënës së saj rreth 520 paundë për fluturimet e reja, por ata do të shkonin në Gatwick, jo në Manchester.
Kiera shtoi: “Shkuam në aeroport në orën shtatë e gjysmë për fluturimin e orës njëmbëdhjetë, pra ishim shumë herët. Kur arritëm tek kontrolli kufitar ishte një radhë e madhe njerëzish. Nuk ndihesha mirë sepse mendoj se isha helmuar. Rreth orës dhjetë e pesëdhjetë sollën ujë për njerëzit, dhe kur arritëm në krye të radhës dikush na pyeti nëse po shkonim në Manchester dhe na tha se avioni ynë sapo ishte nisur. Vetëm rreth 30 persona arritën të hipin në avion, ndërsa rreth 100 mbetën jashtë.”
Studentja tha se kur i shkroi kompanisë EasyJet për t’i shpjeguar se tani familjes së saj do t’i kushtonte qindra paund për biletën e avionit për në Londër dhe më pas për trenin drejt Manchesterit, kompania i ofroi 12.25 paundë si kompensim. “Me aq nuk blejmë dot as një sanduiç në aeroport, dhe do të mbetemi këtu derisa të fluturojmë nesër,” shtoi ajo.
Ndërsa Adam Lomas, 33 vjeç, kontabilist nga Wakefield, ishte me pushime në Milano me bashkëshorten e tij Katy, 31 vjeç, dhe vajzën e tyre katër muajshe.
Ai tha: “Kemi qëndruar në aeroport për orë të tëra.”. Lomas shpjegoi se e kishte telefonuar kompaninë disa herë por i kishte dalë sekretaria, më pas kur ia hapën kishin hasur probleme me audion derisa në fund ia mbyllën fare telefonin.
EasyJet tha se vonesat në kufi të shkaktuara nga zbatimi i sistemit të ri europian të Hyrje/Daljes (EESS) ishin “të papranueshme”. Sistemi u vendos në tetor të vitit të kaluar.
Këtë javë, qeveria britanike njoftoi se udhëtarët drejt zonës Schengen mund të duhet të japin të dhëna biometrike, si gjurmët e gishtave dhe fotografi, kur mbërrijnë. U theksua se nuk ka nevojë për përgatitje paraprake dhe se regjistrimi në EES është falas.
Por mesa duket, ky sistem që po zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave dhe që mund të zgjasë më shumë për çdo pasagjer, ndaj udhëtarët duhet të presin radhë më të gjata në kufi./tvklan


