Kapet pas 1 muaji 44-vjeçari shqiptar që grabit bazilikën në Bolonja të Italisë! Pas grabitjes u arratis drejt Sllovenisë

Një 44-vjeçar me origjinë shqiptare është identifikuar si autori i vjedhjes në Bazilikën e San Luca-s në Bolonja të Italisë. Ky zbulim erdhi pas një hetimi i cili zgjati rreth një muaj e gjysmë. Për të kryer vjedhjen, shqiptari kishte përfituar nga një kantier në të cilin po kryheshin punime.
Gjithashtu edhe sistemi i alarmit në bazilikë ishte i çaktivizuar për shkak të punimeve në kantier. Kjo i kishte mundësuar atij hyrjen fshehurazi brenda bazilikës, ku më pas kishte vjedhur disa bizhuteri dhe donacione.
Makina me të cilën ai udhëtonte ishte e vjedhur dhe pas grabitjes ai e kishte braktisur disa kilometra më larg zonës. Në vendngjarje la pas një dorezë, e cila u bë një nga provat kyçe për hetuesit. Një muaj e gjysmë pas episodit që tronditi të gjithë komunitetin bolognez, policia italiane zbuloi se autori i grabitjes ishte një 44-vjeçar me origjinë shqiptare.
Mediat italiane shkruajnë se ai ishte i njohur për hetuesit për krime të mëparshme të së njëjtës natyrë. Vetëm një ditë pas ngjarjes, ai u lokalizua në Slloveni, ku dyshohet se po largohej drejt Shqipërisë për t'ju shmangur kapjes nga autoritetet italiane.
Prokuroria italiane ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka nisur procedurat ligjore ndaj tij. Ai akuzohet për vjedhjen në bazilikë dhe për automjetin e përdorur.


