Kriza e karburantit për avionë, çfarë po ndodh me fluturimet në Europë?

Kompanitë ajrore në Evropë po përgatiten për kufizime në furnizimin me karburant avionësh, ndërsa paralajmërimet e para lidhen me mesin e muajit maj në disa zona të kontinentit. Pasiguria mbi furnizimet në javët në vijim ka shtyrë disa operatorë të hartojnë plane emergjente edhe për vjeshtën.
Situata është ndërlikuar më tej nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit që prej fundit të shkurtit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe derivateve.
“Nuk kam parë kurrë një situatë të tillë: askush nuk di gjë dhe askush nuk dëshiron të shprehet përtej fundit të muajit. Po përgatitemi për skenarin më të keq”, deklaroi për Corriere drejtori ekzekutiv i një kompanie ajrore evropiane.
Operatorët po shqyrtojnë masa alternative për të garantuar fluturimet, ndërsa frika për mungesë keroseni mund të ndikojë në sezonin veror dhe më tej gjatë muajve të vjeshtës.


