Plani sekret i Izraelit, agjentët e Mossad-it kanë ndjekur zhvillimin bërthamor të Iranit për më shumë se një dekadë
Agjentët e shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, kanë mbledhur në fshehtësi informacione të ndjeshme mbi programin bërthamor të Iranit që prej vitit 2010, sipas një raporti të publikuar nga The Times, i cili citon dokumente të inteligjencës dhe burime të afërta me operacionet.
Sipas raportit, informacionet e grumbulluara gjatë viteve tregojnë se deri në fund të vitit 2024, Irani kishte kaluar nga faza kërkimore në atë të eksperimentimit me ndërtimin e një pajisjeje bërthamore shpërthyese — potencialisht brenda vetëm disa javësh.
Burime të inteligjencës thanë se Mossadi kishte arritur të infiltronte oficerët iranianë të përfshirë në hartimin e planimetrisë për objektin bërthamor në Natanz — një nga objektet më të rëndësishme të Teheranit — përpara se ai të sulmohej dhe të pësonte dëme të mëdha në një operacion të supozuar izraelit.
Më tej, Izraeli dyshohet se ka depërtuar edhe në disa vende të tjera kyçe të programit bërthamor iranian, përfshirë Isfahanin, Nurin, Mogdehun, Shariatin dhe Shahid Meisamin. Këto infiltrime kanë siguruar të dhëna të detajuara mbi zhvillimet teknologjike të Iranit dhe synimet e tij të mundshme për të prodhuar armë bërthamore.
Raporti vjen mes tensioneve në rritje mes Teheranit dhe Jeruzalemit, si dhe shqetësimeve të vazhdueshme ndërkombëtare mbi përparimet e Iranit në fushën bërthamore. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar publikisht mbi raportin./tch