Takimi me presidentin kinez, Trump do të diskutojë me Xi Jinping edhe për luftën në Ukrainë e Rusinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se planifikon të diskutojë çështje që lidhen me Rusinë dhe Ukrainën në takimin e tij të ardhshëm me udhëheqësin kinez Xi Jinping.
“Një nga gjërat për të cilat do të flasim është [konflikti] Rusi-Ukrainë”, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One. “Do të doja ta shihja Kinën të na ndihmonte”, vuri në dukje Trump.
“Ne i vendosëm sanksione shumë të forta Rusisë. Mendoj se këto sanksione do të jenë – e dini, janë shumë të ashpra, janë shumë të forta. Por do të doja ta shihja Kinën të na ndihmonte”, shtoi presidenti amerikan, duke folur për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi të enjten se Trump do të vizitojë Malajzinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Përveç bisedimeve dypalëshe, ai do të marrë pjesë edhe në ngjarjet e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Bisedimet midis Trump dhe Xi pritet të zhvillohen në Korenë e Jugut më 30 tetor.


