Berat/ 25 vite në emigrim, fermeri kthehet dhe ndërton fermën në fshatin e lindjes: Na duhet vetëm rruga

Historia frymëzuese e Bedri Kallanxhiut tregon se e ardhmja mund të ndërtohet qetësisht dhe në vendlindje.
Kultivimi i rreth 300 rrënjëve fiq i ka siguruar punë dhe të ardhura, madje edhe për shkollimin e fëmijëve, teksa pengesa e vetme mbetet infrastruktura drejt fshatit Kostren në Berat.
Ka jetuar 25 vite në emigrim, ndërsa mendja dhe zemra i rrinin gjithnjë në vendlindje. Ëndrra që një ditë të rikthehet në Atdhe, tashmë i është bërë realitet, ndërkohë që puna me tokën i jep qetësinë e munguar gjatë viteve të emigrimit. Në fshatin e tij të lindjes investoi në vreshta, në kultivimin e ullirit dhe të fikut.
“Unë, si familje, kam 300 rrënjë. Punojmë familjarisht, unë, bashkëshortja dhe dy fëmijët. Kemi vjelë dy ton fiq dhe i gjithë prodhimi do të kalojë në duart tona. Nga të gjitha kulturat, me fikun kam nxjerrë më shumë fitim, është një frut ku nuk të shkon dëm mundi.”, thotw Bedri Kallanxhiu, fermer
Pozicioni gjeografik, klima, toka dhe çdo gjë tjetër e natyrës janë favorizuese për 47-vjeçarin, teksa, ashtu si të gjithë banorët e tjerë të Kostrenit në njësinë administrative Rroshnik, pengesë konsideron gjendjen në të cilën ndodhet rruga.
“E vetmja gjë që më penalizon është rruga. Po të jetë rruga e mirë, i marr punëtorët larg dhe prodhimi shitet më lehtë.”
I pasionuar pas tokës, ai ka programuar punën gjatë gjithë vitit në shërbim të saj, punë falë së cilës nxjerr fitime, duke arritur më në fund qetësinë që ëndërroi për më shumë se dy dekada në emigrim./Shqiptarja


