Trump nënshkruan urdhrat ekzekutivë, nga vendimi për të forcuar mbrojtjen nga dronët e deri te nxitja e fluturimit supersonik
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të premten urdhra ekzekutivë për të forcuar mbrojtjen amerikane kundër dronëve kërcënues dhe për të nxitur “mjetet ajrore elektrike” dhe aeroplanët komercialë supersonikë, tha Shtëpia e Bardhë.
Në tre urdhrat ekzekutivë, Trump kërkoi të mundësonte përdorimin rutinor të dronëve përtej pamjes vizuale të operatorëve, një hap kyç për të mundësuar dërgesat komerciale të dronëve, dhe të ndërmerrte hapa për të zvogëluar varësinë e SHBA-së nga kompanitë kineze të dronëve dhe për të filluar testimin e mjeteve fluturuese elektrike vertikale (eVTOL).
Trump po krijon një task-forcë federale për të siguruar kontrollin e SHBA-së mbi qiellin amerikan, për të zgjeruar kufizimet mbi vendet e ndjeshme, për të zgjeruar përdorimin federal të teknologjisë për të zbuluar dronë në kohë reale dhe për të ofruar ndihmë për zbatimin e ligjit shtetëror dhe lokal.
Ai gjithashtu synon të adresojëkërcënimin në rritje të terroristëve kriminelë dhe keqpërdorimit të dronëve nga të huajt në hapësirën ajrore të SHBA-së.
Ne po i sigurojmë kufijtë tanë nga kërcënimet e sigurisë kombëtare, përfshirë në ajër, me ngjarje publike në shkallë të gjerë si Lojërat Olimpike dhe Kupa e Botës në horizont”, tha Michael Kratsios, drejtor i Zyrës së Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë.
Sebastian Gorka, drejtor i lartë i antiterrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, përmendi përdorimin e dronëve në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimet ndaj ngjarjeve të mëdha sportive në SHBA.
“Ne do të rrisim aftësitë dhe kapacitetet kundër dronëve. Ne do të rrisim zbatimin e ligjeve aktuale për të penguar dy lloje individësh: keqbërësit dhe idiotët”, tha Gorka.
Trump gjithashtu udhëzoi Administratën Federale të Aviacionit të heqë një ndalim të vendosur në vitin 1973 për transportin ajror supersonik.