Dështimi i 47-të për Kuvendin, Kriza politike në Kosovë thellohet ndërkohë afati përfundimtar po afron

Kosovë&Rajon

Dështimi i 47-të për Kuvendin, Kriza politike në Kosovë

Kosova po përballet me një ngërç të thellë institucional, pasi edhe përpjekja e 47-të për konstituimin e Kuvendit ka dështuar. Seanca e fundit, e drejtuar nga kryesuesi Avni Dehari, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, pasi asnjë subjekt politik nuk propozoi emra për Komisionin Zgjedhor – një hap i domosdoshëm për të vijuar me votimin e fshehtë të udhëheqësisë së re.

Kuvendi i Kosovës ka mbetur pa kryetare dhe nënkryetarë që nga 15 prilli, duke e bërë këtë bllokadë institucionale një ndër më të zgjaturat në historinë e pasluftës.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kundërshtojnë modelin e votimit të fshehtë të promovuar nga Vetëvendosje, duke e konsideruar atë në kundërshtim me Kushtetutën.

Në qendër të kësaj krize qëndron emri i Albulena Haxhiut, kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare Kuvendi. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën prej 61 votash në raundet e deritanishme – as me votim të hapur dhe as me përpjekje për kompromis. Opozita e sheh atë si figurë të papranueshme dhe përçarëse.

Vetëvendosje deklaron se nëse Haxhiu nuk merr shumicën e nevojshme në një votim të vetëm të fshehtë, ajo do të tërhiqet, por ende nuk ka asnjë shenjë të zgjidhjes.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka caktuar 26 korrikun si afatin përfundimtar për konstituimin e Kuvendit, por me këtë ritëm, skenari i një krize kushtetuese dhe zgjedhjeve të reja është gjithnjë e më i afërt. Përpjekjet e Presidentes Vjosa Osmani për të ndërmjetësuar situatën deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme.

Kosova ndodhet në një udhëkryq institucional dhe çdo ditë që kalon pa një zgjidhje e rrit pasigurinë politike në vend.

ME TE LEXUARAT