Fotoja e 2022-shit trondit Greqinë/ 20-vjeçari që u vra në Selanik, dikur protestonte për tifozin e vrarë të PAOK-ut

Një fotografi e vitit 2022 është bërë virale dhe ka tronditur opinionin publik në Greqi.
Në të shihen dy nxënës të një shkolle në Sykies të Selanikut, të cilët mbajnë një pankartë me mesazhin: “Alkis, qofsh i fundit — nuk harrojmë”, pas vrasjes së 19-vjeçarit Alkis Kampanos nga një grup huliganësh. Njëri prej tyre mban fanellën e Aris-it, ndërsa tjetri fanellën e PAOK-ut.
Ky i fundit është pikërisht Kleomenis, i riu 20-vjeçar që u vra pak ditë më parë në Kalamaria, ndërsa pamjet tronditëse nga kamerat e sigurisë, që tregojnë momentet e fundit të tij, kanë shokuar sërish opinionin publik.
Ai shihet duke u lëkundur dhe duke vrapuar i plagosur, derisa bie pranë një koshi mbeturinash. Dy shokët e tij, që po iknin bashkë me të, kthehen të tmerruar për ta ndihmuar, por është tashmë tepër vonë.
Ngjarja ndodhi katër netë më parë dhe ka rikthyer frikën për dhunën e organizuar mes tifozëve në Selanik.
Sipas policisë greke, 20-vjeçari u sulmua nga një grup personash pas një konflikti që besohet të ketë lidhje me rivalitetin. /Top Channel/


