James Rubin ia thotë në sy Hagës: S’gjetëm prova për vrasje nga Thaçi e Krasniqi
James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se nuk kanë pasur asnjë të dhënë apo provë që Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin i lidhin me vrasje dhe ekzekutime.
James Rubin gjithashtu ka deklaruar se edhe kur ka biseduar me miq të tij që kanë punuar në agjenci të inteligjencës, nuk i kanë dhënë informacione të tilla, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi.
Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria, kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me këtë pretendim, dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë, miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, ka theksuar ai.
Rubin ka deklaruar se niveli i dezinformimit në Ballkan ka qenë shumë i madh, kryesisht i ndikuar nga Rusia dhe Kina për qëllime të caktuara. Po ashtu, dëshmitari u pyet për rastin “Panda” në Pejë, për të cilin tha se nuk i kujtohet konkretisht, por incidente të tilla të ngjashme kanë ndodhur.
Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka deklaruar se deri në ndërhyrjen e NATO-s, ata nuk kanë besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturën që ata mendonin.
“Deri në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ne nuk e kemi besuar asnjëherë që UÇK-ja kishte strukturë që ne e mendonim që ishte një strukturë e mirëorganizuar ushtarake”, ka thënë Rubin.
Rubin ka theksuar se nuk merrte informacione nga misioni i GDOM-it në Kosovë lidhur me strukturën e UÇK-së dhe se ata ishin të fokusuar në lëvizjet e forcave serbe dhe veprimet e UÇK-së.
Rubin ka deklaruar se në Grupin e Kontaktit ka pasur kontakte minimale me Jakup Krasniqin dhe se pika e kontaktit për udhëheqjen e shqiptarëve të Kosovës ishte Hashim Thaçi.
Sipas tij, pjesa më e madhe e anëtarëve të delegacionit ishin pro nënshkrimit të marrëveshjes. Po ashtu, u pajtua se konsultimi duhej të bëhej me komandantët e zonave.
Në këtë seancë, James Rubin pohoi se Ramë Buja, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi përshkruheshin si persona të moderuar brenda UÇK-së.