PS përcakton drejtuesit e rinj të komisioneve parlamentare, zbulohen emrat

Politikë

PS përcakton drejtuesit e rinj të komisioneve parlamentare, zbulohen

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku është vendosur edhe ndarja e drejtuesve të komisioneve parlamentare.

Në përfundim të mbledhjes, u vendos që komisionin e Ligjeve do ta drejtojë Ulsi Manja, ndërsa në krye të Komisionit për Politikën e Jashtme Igli Hasani.

Blendi Klosi do të marrë drejtimin e Komisionit të Bujqësisë, ndërsa Milva Ekonomi është caktuar në krye të Komisionit të Ekonomisë.

Bledi Çuçi do të drejtojë Komisionin e Sigurisë, Anila Denaj Komisionin për Burimet Natyrore. Damian Gjiknuri është zgjedhur kryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Këto vendime vijnë pas riformatimit të grupit parlamentar dhe lëvizjeve të fundit brenda mazhorancës socialiste.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se shumica do të paraqesë një paketë të re për ndarjen dhe emërtimin e komisioneve, duke e konsideruar këtë si pjesë të domosdoshme të rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, komisionet e reja janë konceptuar në përputhje me strukturën e kapitujve të negociatave me BE-në, me qëllim që procesi i integrimit të përkthehet edhe në mënyrën sesi funksionon organi ligjvënës në vend.

Rama theksoi se Kuvendi duhet të punojë me standarde të reja dhe më të larta, duke garantuar më shumë eficiencë dhe përputhje me kërkesat e Brukselit.

Në propozimin e ri parashikohet të funksionojnë 11 komisione parlamentare, shtatë prej të cilëve do të drejtohen nga shumica dhe katër nga opozita.Komisionet e reja përfshijnë fusha si Ekonomia, Çështjet Ligjore, Siguria, Bujqësia, Mjedisi, Marrëdhëniet me Jashtë, si edhe komisione me fokus më të detajuar si ai për Nismat Qytetare apo për të Drejtat e Informimit Publik.

ME TE LEXUARAT