Kurti kërkon mbështetjen e Turqisë për hapjen e linjës së re ajrore Kosovë-SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim zyrtar ministrin e Tregtisë së Turqisë, Ömer Bolat, i cili po zhvillon një vizitë në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Ankaraja i ka dhënë Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme.
Gjatë takimit, Kurti ka diskutuar edhe për mundësinë e hapjes së një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mbështetjen e Turqisë, si pjesë e zgjerimit të lidhjeve ndërkombëtare të vendit.
Po ashtu, është theksuar bashkëpunimi i ngushtë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa Kurti ka shprehur falënderime për presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për, siç u tha, angazhimin dhe mbështetjen e veçantë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e cila pritet të përfshijë jo vetëm mallrat, por edhe shërbime të ndryshme si teknologjia e informacionit, transporti, logjistika dhe shërbimet financiare.
Kurti theksoi gjithashtu potencialin e Kosovës për eksportin e shërbimeve, duke e konsideruar atë një sektor me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit.


