Prokuroria Speciale e Kosovës: Operacioni në veri lidhet me hetimin për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it

Kosovë&Rajon

Prokuroria Speciale e Kosovës: Operacioni në veri lidhet me hetimin

Shtatë persona janë shoqëruar në Polici gjatë operacionit policor të zhvilluar më 19 tetor në Zveçan dhe Zubin Potok, bëri të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës. Operacioni kishte të bënte me hetimin lidhur me vrasjen e një zyrtari të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) më 2013.

“Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.

Prokuroria Speciale tha se gjatë bastisjeve në nëntë lokacione – shtatë në Zubin Potok dhe dy në Zveçan – ka sekuestruar disa prova materiale: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme e të tjera.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”, u tha në njoftim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila kishte parashtruar kërkesën në gjykatë për këtë operacione, bastisjet u kryen për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Audrius Senavicius, nga Lituania, ishte pjesëtari i parë i Misionit për Sundim të Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), i cili është vra në krye të detyrës prej se ky mision është instaluar në Kosovë.

Ai ishte vra në një pritë, në rajonin e komunës veriore të Zveçanit më 19 shtator të vitit 2013, kur u sulmuan dy vetura të EULEX-it, teksa po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinjëë për në jug të Mitrovicës.

Nga ky sulm, Senavicius mbeti i vrarë, kurse qenë lënduar dy kolegë të tij.

EULEX-i madje kishte ofruar shpërblim monetar për këdo që kishte informata rreth vrasjes së Senaviciusit.

Atëbotë, një ekip i përzier i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kishin kryer hetime.

Operacioni në dy komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nisi mëngjesin e 19 tetorit dhe zgjati për disa orë.

Lidhur me këtë operacion kanë reaguar zyrtarë serbë në Kosovë dhe Serbi, që e kanë cilësuar si pjesë e një "shtypjeje të serbëve" në Kosovë.

Më herët gjatë ditës, Zyra për Kosovë në Qeverinë serbe tha se në operacionin në veri ishin arrestuar shtatë serbë, duke e cilësuar këtë aksion si vazhdim të "shtypjes brutale fizike dhe ligjore ndaj popullit serb".

Nga kjo zyrë thanë se operacioni policor, synoi “frikësimin dhe krijimin e trazirave në mesin e familjeve serbe që kanë jetuar në këto zona për dekada të tëra”.

“Kjo ka të bëjë me hakmarrjen e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurti kundër popullatës serbe në veri të Kosovës për shkak të fitore së serbëve në zgjedhjet e fundit [lokale], por edhe për shkak të nervozizmit të Prishtinës pas dështimit në zgjedhje, të cilin Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb”, u tha në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se “arrestimet brutale të serbëve” në Zubin Potok dhe Zveçan, janë pjesë e një fushate “të terrorit të organizuar” nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kundër serbëve.

Edhe kjo parti akuzoi autoritetet kosovare për “hakmarrje politike ndaj popullit serbë në veri, pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet e fundit”.

“Duke pasur parasysh rundin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale dhe krizën në Prishtinë, i bëjmë thirrje popullit tonë të qëndrojë i qetë dhe i bashkuar, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Asnjë veprim frikësues nuk do të thyejë shpirtin e popullit serb apo vendosmërinë tonë për të mbetur në vaërat tona shekullore, dhe na takon neve të ruajmë njëri-tjetrin dhe paqen që na nevojitet aq shumë”, u tha në reagimin e Listës Serbe.

Ndryshe, në katër komunat në veri të Kosovës - Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq - viteve të fundit ka pasur tensione dhe Serbia vazhdimisht ka kritikuar operacionet që Policia e Kosovës ka kryer në këtë zonë./ REL

ME TE LEXUARAT