Debat me prokurorin në sallën e gjyqit, arrestohet avokati! Po mbronte çështjen e shokut të Shullazit
Avokati Ulian Barjami është arrestuar të shtunën, pasi akuzohet se ka kërcënuar një prokuror gjatë një seance gjyqësore. Ngjarja ndodhi në kuadër të procesit ndaj Maksim Lika, i njohur edhe me nofkën “Suci”, të cilin Barjami e përfaqësonte ligjërisht.
Lajmi është bërë me dije mbremjen e sotme.

Maksim Lika është ndaluar më herët gjatë një aksioni blic të zhvilluar në Elbasan dhe dyshohet për lidhje me personazhe të botës së krimit, përfshirë Emiljano Shullazin.
Maksim Lika (i njohur edhe si “Suci”) u arrestua në kuadër të operacionit policor “Fast”, në Elbasan më 13 tetor 2025, së bashku me të paktën 10 persona të tjerë, pasi u kapën në një lokal pranë aksit Elbasan–Ish‑Metalurgji.
Ai po hetohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim me policinë, me tre pistoleta të sekuestruara gjatë ndërhyrjes dhe dyshohet të ketë qenë në shoqërim të një takimi biznesi që policia e konsideron të përfshirë në fushën e organizatave kriminale.
Reagon Dhoma e Avokatise
Sipas Dhoms se Avokatisë rezulton se një përballje e armëve të barabarta në sallën e gjykimit, sipas ligjit, ka përfunduar në një abuzim të atributeve të prokurorit, duke mos pranuar debatin gjyqësor, por duke urdhëruar prangosjen e avokatit Ulian Barjami, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tirnaë.
Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillitt ë Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit. Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Prof. Dr. Maksim Haxhia
Akuzat
Policia tha se avokati u thirr nje dite me pas, me 18 tetor 2025, ne ambientet e drejtorise Elbasan dhe u arrestua pasi akuzohet se ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore.
Akuzat jane: “Kanosja për shkak të detyrës”,
“Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe
“Kanosja e gjyqtarit”.