Katër persona kapen me 700 mijë euro lëndë narkotike në kufirin Shqipëri-Greqi
Katër persona janë arrestuar në Kozanë, pranë kufirit me Shqipërinë, për transportimin e një sasie të madhe kanabisi.
Gjatë operacionit policor, atyre iu gjetën 42 kilogramë e 869 gramë kanabis, me një vlerë të përllogaritur që tejkalon 686 mijë euro.
Sipas autoriteteve, mbrëmë, në një zonë të Kozanit, oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Kostur, pas një hetimi të koordinuar dhe përdorimit të informacionit inteligjent, u përpoqën të ndalonin dy automjete që po transportonin lëndën narkotike.
Drejtuesit nuk iu bindën urdhrit të ndalimit dhe u përpoqën të largoheshin me shpejtësi.
Pas ndjekjes, pasagjerët e automjetit të parë hodhën dy çanta udhëtimi që përmbanin 39 pako kanabisi të papërpunuar, përpara se të vazhdonin drejt zonës së Kozanit.
Policia arriti t’i ndalojë mjetet dhe të arrestojë katër persona, një 24-vjeçar, një 26-vjeçare, një 29-vjeçar dhe një tjetër 44-vjeçar.
Të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë e Gjykatës Penale në Kostur, ku do të përballen me akuza për trafik të lëndëve narkotike.