Pamja e tyre ka ndezur “sirenat e alarmit”/ Kush janë burrat e vegjël të gjelbër të Putinit që po tmerrojnë Europën

Bota

Pamja e tyre ka ndezur “sirenat e alarmit”/ Kush janë burrat e

“Burrat e vegjël të gjelbër”, siç quhen ndryshe forcat speciale ruse Spetnaz, janë vërejtur së fundmi pranë kufirit midis Rusisë dhe Estonisë, duke rritur tensionet në rajon dhe shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm midis NATO-s dhe Moskës.

Këta trupa, të njohur për operacionet e tyre sekrete nën kontrollin e shërbimeve të inteligjencës ruse si GRU, janë parë më parë në zona të konfliktit si Siria dhe Krimea. Këtë herë, sipas autoriteteve estoneze, shtatë burra të armatosur me uniforma pa shenja dalluese janë vërejtur në një segment të ngushtë territori rus që depërton në Estoninë juglindore, të njohur si “Çizmja Saatse”.

Pamjet e publikuara nga transmetuesi estonez ERR tregojnë individë të maskuar me balaklava dhe të pajisur me pushkë Kalashnikov, pa asnjë simbol identifikues. Autoritetet reaguan menjëherë duke bllokuar rrugën kufitare për të shmangur ndonjë incident, ndërsa qeveria në Talin po përgatit edhe plane evakuimi në rast të ndonjë përshkallëzimi.

Rojet kufitare estoneze thanë se burrat e armatosur nuk ishin pjesë e forcave zyrtare kufitare, duke e cilësuar situatën si “një kërcënim të mundshëm”. Analistët e sigurisë vlerësojnë se kjo mund të jetë pjesë e një strategie të Kremlinit për të përhapur frikë dhe pasiguri në Evropë, nëpërmjet taktikave të njohura si “operacione me flamur të rremë” — metoda që përfshijnë veprime provokuese për të krijuar tensione dhe konfuzion.

Sipas shërbimeve të inteligjencës perëndimore, përfshirë atyre daneze, Rusia ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetet e saj hibride kundër vendeve të NATO-s, duke përdorur sulme kibernetike, sabotime dhe fushata dezinformimi për të testuar qëndrueshmërinë e aleancës pa e shtyrë atë në një konflikt të hapur.

Kujtojmë se “burrat e vegjël të gjelbër” u bënë të famshëm gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014, kur njësi të Spetnaz-it pa simbole dalluese morën kontrollin e objekteve strategjike, duke përgatitur terrenin për ndërhyrjen ushtarake të Moskës.

Këtë herë, prania e tyre në kufirin me Estoninë është shqetësuese, por sipas autoriteteve lokale, nuk ka arsye për panik — burrat u panë për një kohë të shkurtër dhe më pas u zhdukën pa lënë gjurmë. Siç theksojnë disa burime, në një kufi kaq të ndërlikuar, edhe një “gabim rruge” mund të ketë pasoja të mëdha.

ME TE LEXUARAT