Berisha të tjera akuza: McGonigal i çoi informacionet tek shërbimet sekrete kineze pas darkës me Ramën

Politikë

Berisha të tjera akuza: McGonigal i çoi informacionet tek

Në një konferencë për mediat të mbajtur sot, lideri i opozitës Sali Berisha ka bërë një sërë akuzash të forta lidhur me një skandal ndërkombëtar të pretenduar, në të cilin sipas tij përfshihen emra të njohur si ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, kryeministri Edi Rama, dhe përfaqësues të shërbimeve sekrete kineze.

Sipas Berishës, më 9 shtator 2017, McGonigal, i identifikuar në dokumentet e brendshme si “Eye One”, ka zhvilluar një darkë private me kryeministrin Rama në Tiranë. Në këtë takim, Berisha pretendon se ka qenë i pranishëm edhe Dorian Duçka, këshilltar i afërt i Ramës dhe zyrtar i qeverisë me pasaportë diplomatike.

“Pas kësaj darke, McGonigal i dërgon mesazh eprorëve të tij se ishte me kryeministrin e Shqipërisë dhe se po diskutonin për reformën në drejtësi. Por në realitet, në këtë takim ai kërkoi nga Rama që t’i hiqej licenca një kompanie ruse dhe t’i jepej një kompanie tjetër, gjithashtu ruse,” u shpreh Berisha.

Berisha shton se McGonigal vepronte në interes të oligarkut rus Oleg Deripaska, i cili, sipas tij, ishte përfaqësuar në këtë proces përmes McGonigal dhe bashkëpunëtorit të tij Shestakov. Por ajo që Berisha e cilëson si “dimensioni kinez” i këtij skandali shfaqet dy ditë pas takimit në Tiranë, kur sipas tij, Hunter Biden, djali i presidentit amerikan Joe Biden, takohet në Irlandë me përfaqësues të një korporate kineze – konkretisht me Patrick Ho dhe Jang Xemin.

“Në atë takim u diskutuan informacionet që McGonigal kishte dhënë për t’u përcjellë tek shërbimet sekrete kineze, përmes agjentit të tyre të infiltruar, Dorian Duçka,” tha Berisha.

Sipas Berishës, dokumente të zbardhura nga gjykata në SHBA tregojnë se korporata kineze kishte lidhje të drejtpërdrejta me Hunter Biden, i cili merrte pagesa të mëdha nga kjo kompani. Ndërkohë, Duçka, siç tha ai, merrte një “rrogë mujore prej 50 mijë dollarësh” nga e njëjta korporatë.

Berisha shtoi se sipas Inspektorit të Përgjithshëm në SHBA, FBI kishte ngritur një rrjet për të arrestuar të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë, përfshirë Patrick Ho, Jang Xemin dhe Dorian Duçkën.

“Kjo është një çështje që prek sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por që përfshin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe strukturat më të larta të qeverisë së tij. Tashmë nuk është vetëm një çështje amerikane, por edhe shqiptare,” përfundoi Berisha.

ME TE LEXUARAT