Gara për mandat në Tiranë/ Vijon numërimi i votave, ja kush kryeson deri më tani mes Tabakut dhe Alimehmetit!
Në ditën e katërt të numërimit të votave, Partia Socialiste vazhdon të udhëheqë me 803 mijë vota dhe 83 mandate. Forca e dytë politike është Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me 517 mijë vota dhe 50 mandate.
Ende vijon numërimi i votave të diasporës dhe mbetet për t’u parë nëse PD do të arrijë t’i marrë një mandat Agron Shehajt në Tiranë. Në Lezhë, nuk dihet ende nëse vota e diasporës do t’i shërbejë PD për të mbrojtur mandatin e katërt, apo ai do të shkojë për PS. Ndërsa në Fier, pritet të shihet nëse Adriatik Lapaj do të arrijë t’i marrë mandatin e 12-të Partisë Socialiste. Ndërkohë, vazhdon numërimi i votave për kandidatët në shumicën e vendit. Në dy qarqe, Partia Socialiste nuk merr asnjë deputet përtej listës së mbyllur, ndaj nuk ka garë në Kukës dhe Shkodër. Në 10 qarqet e tjera, nga lista e hapur do të hyjnë 37 kandidatë të PS.
Deputetët më të votuar deri më tani janë Sara Mile në Elbasan dhe Arkend Balla në Durrës me mbi 18 mijë vota, Blendi Gonxhe në Tiranë me më shumë se 17 mijë vota dhe Ceno Klosi me 16.140 vota. Në kampin tjetër, Partia Demokratike në tre qarqe ka marrë po aq deputetë sa ka lista e mbyllur, në tre qarqe ka marrë më pak se lista e mbyllur dhe vetëm në gjysmën e vendit ka garë mes kandidatëve nga lista e hapur.
Në Tiranë, për një vend në parlament po garojnë dy prej figurave më të forta të PD: Jorida Tabaku, e cila është e para aktualisht me 13.747 vota, dhe Ilir Alimehmeti me 12.599. Të dy politikanët janë kandidatë më të votuar të PD.
Ndërkohë, nga lista e hapur e PD në parlament do të hyjnë: Shkëlqim Shehu në Kukës, Bardh Spahia në Shkodër, në Lezhë Gjin Gjoni dhe Kastriot Piroli, në Durrës Arjan Ndoja dhe në Korçë Fidel Kreka.