Rama kritikon ambasadorët: E papranueshme që një vend i vogël si i yni nuk ka regjistër të shqiptarëve që shkëlqejnë nëpër botë

Politikë

Rama kritikon ambasadorët: E papranueshme që një vend i

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime në ligjin për funksionimin dhe organizimin e trupës diplomatike të Shqipërisë, si dhe mbështetje të shtuar financiare. Në Konferencën e Ambasadorëve, Diplo2025, kreu i qeverisë tha tashmë ekziston një draft, që do dërgohet në parlament për miratim.

“Rritja e Akademisë së Diplomacisë sipas modeleve më të mira europiane është një hap shumë i nevojshëm, i domosdoshëm i cili më në fund po hidhet, ndërkohë që i domosdoshëm është edhe reformimi i kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm. Një draft për këtë reformim është gati dhe së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë do të miratojmë të gjithë kuadrin e ri që do t’i mundësojë Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të jetë më moderne dhe më efektive në përmbushjen e nevojave tona, që do të rrisë njëkohësisht kërkesën ndaj përfaqësuesve por edhe mbështetjen e përfaqësive diplomatike.

Për të shfrytëzuar siç duhet potencialin që kemi, duhet një motivim edhe më i madh financiar i trupës sonë të shërbimit të jashtëm”, tha Rama.

Rama po ashtu tha se është e papranueshme që një vend i vogël si i yni, të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre, në vendet e huaja.

“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjeshtë rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta. Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, suksese apo më saktë pozitive, por në tërësi jemi shumë mbrapa. Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik.

Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet.

Por që ne të mos kemi një database që pasurohet dita ditës me profesionistë shqiptarë në territorët e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je që të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit”,- tha Rama.

ME TE LEXUARAT