Veliaj për Fatos Nanon: Tolerant e liberal, e tregoi edhe me mua në ditët e rebelimit aktivist

Për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano ka reaguar edhe Erion Veliaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj e cilëson atë si kryetarin që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.
Veliaj e kujton ish-kreun e PS-së si një udhëheqës tolerant e liberal, që i ka treguar siç thotë ai edhe me të në ditët e rebelimit aktivist.
"Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.
Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.
Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist.
Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar.
Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës.
U prehtë në paqe", shkruan Veliaj
							                       
							                       
							                       
							                       
							                       

