Ulja e kolesterolit ndihmonë zemrën dhe trurin/ gjithashtu zvogëlon rrezikun e demencës.

Kur bëhet fjalë për kolesterolin e lartë (hiperkolesteroleminë), ndoshta të gjithë e dimë se nivelet jo optimale të kolesterolit “të keq” (kolesterolit LDL) rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të enëve të gjakut. Megjithatë, një studim i ri ka treguar se mbajtja nën kontroll e niveleve të kolesterolit nuk është vetëm e mirë për zemrën, por mund të përmirësojë edhe shëndetin njohës, duke zvogëluar rrezikun e demencës.
I kryer nga studiues në Universitetin e Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spitalin Universitar të Kopenhagenit në Danimarkë, studimi ofron të dhëna më të detajuara mbi këtë lidhje dhe mbi faktin se ruajtja e niveleve optimale të kolesterolit gjatë gjithë jetës mund të mbrojë edhe trurin. Kjo është veçanërisht e vërtetë tek njerëzit me variante gjenetike që natyrshëm kanë tendencë të mbajnë nivele të ulëta të kolesterolit. “Tek këta njerëz,” shpjegojnë studiuesit, “variantet gjenetike ndikojnë natyrshëm në të njëjtat proteina të synuara nga ilaçet për uljen e kolesterolit, siç janë statinat dhe ezetimiba.”
Vlerësimi i rrezikut të demencës tek këta njerëz ka dhënë të dhëna të dobishme për të kuptuar efektet e kontrollit të kolesterolit përmes ilaçeve, duke minimizuar ndikimin e faktorëve ngatërrues, siç janë pesha, dieta, ushtrimet dhe zakonet e tjera të jetesës, të cilat janë më të vështira për t’u monitoruar me saktësi.
Çfarë thotë studimi për lidhjen midis demencës dhe kolesterolit
Për analizën, studiuesit krahasuan të dhënat shëndetësore të mbi një milion njerëzve, duke përdorur një metodë të quajtur randomizim Mendelian. Ky lloj analize i lejoi ata të dallonin korrelacionin midis gjenetikës që parashikonte nivele të ulëta të kolesterolit dhe një rrezik më të ulët të demencës, duke sugjeruar që rrugët biologjike të ndikuara nga gjenet që mbajnë kolesterol të ulët – të njëjtat të synuara nga ilaçet për uljen e kolesterolit – ndikojnë gjithashtu në gjasat e demencës.
Në mënyrë specifike, rezultatet e studimit, të botuara në revistën Alzheimer’s & Dementia: The Journal of the Alzheimer’s Association, treguan se edhe një ulje e niveleve të kolesterolit në gjak (një milimol për litër) shoqërohet me një ulje deri në 80% të rrezikut të zhvillimit të demencës.
“Të dhënat tona sugjerojnë që të kesh nivele të ulëta të kolesterolit për shkak të faktorëve gjenetikë ose trajtimeve mjekësore mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të demencës”, theksuan studiuesit, pa dhënë megjithatë informacion përfundimtar mbi rolin e ilaçeve ose pse kolesteroli i lartë mund të rrisë rrezikun e demencës.
Një shpjegim i mundshëm, megjithatë, u propozua nga autorja përkatëse e studimit, Dr. Liv Tybjærg Nordestgaard, e cila theksoi ndikimin e kolesterolit të lartë në zhvillimin e arteriosklerozës: “Arterioskleroza është rezultat i akumulimit të kolesterolit në enët e gjakut”, vërejti ajo. “Ajo mund të ndikojë si në trup ashtu edhe në tru, duke rritur rrezikun e formimit të mpiksjeve të vogla të gjakut, një nga shkaqet e demencës”.


