“Blindohet” Rinasi, Kombëtarja e Serbisë mbërrin nën masa të rrepta sigurie

Sport

“Blindohet” Rinasi, Kombëtarja e Serbisë mbërrin

Kombëtarja e Serbisë ka mbërritur sot në Aeroportin e Rinasit rreth orës 13:06, nën masa të rrepta sigurie, në prag të ndeshjes së vlefshme për Kualifikueset e Kupës së Botës 2026 kundër Shqipërisë.

Më pas futbollistët u transportuan me autobus në një hotel në qendër të Tiranës, ku do të akomodohen përpara përballjes në stadiumin Air Albania më 7 qershor.

Policia njofton se rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi serb në bulevardin “Gjergj Fishta” deri në stadiumin “Arena Kombëtare” përmes bulevardit “Bajram Curri” do të ketë kufizime të pjesshme në orën 16:30 të sotme dhe në orën 18:45 të nesërmen, në momentet kur ekipi do të eskortohet për në stërvitje dhe për ndeshje.

Policia e Shtetit apelon për mirëkuptim nga qytetarët dhe kërkon respektimin e udhëzimeve të forcave të sigurisë në terren, duke paralajmëruar se çdo sjellje që cenon rendin dhe sigurinë do të trajtohet me tolerancë zero dhe në përputhje me ligjin.

Mbi 2000 forca policie janë angazhuar në terren, përfshirë RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Antiterrorin dhe SHISH, për të garantuar sigurinë dhe rendin gjatë qëndrimit të ekipit serb dhe zhvillimit të ndeshjes.

Antiterrori do të kontrollojë perimetrin e stadiumit dhe do të monitorojë pikat hyrëse në territorin shqiptar, ndërsa policia do të përdorë pajisje anti-dronë për të parandaluar çdo kërcënim ajror.

Që prej një jave, në pikat kufitare janë dërguar fotot e personave me prirje ekstremiste, të cilëve nuk do t’u lejohet hyrja në Shqipëri.

Në stadiumin “Arena Kombëtare” janë instaluar sisteme moderne sigurie, duke përfshirë kamera me njohje fytyre dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë në kohë reale çdo lëvizje në tribunat dhe rreth stadiumit. Gjithashtu, do të verifikohen në mënyrë të imtësishme biletat dhe dokumentet e identifikimit të të gjithë personave që hyjnë në stadium.

Tifozët duhet të paraqiten në hyrjen e stadiumit në orën 18:00 për shkak të fluksit të madh të sportdashësve, në mënyrë që të shmangin vonesat dhe mundësinë e moslejimit për të hyrë.

Rrugët që do të bllokohen nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes ditën e shtunë përfshijnë: Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”), rrugët “Papa Gjon Pali i II”, “Dervish Hima” pranë Ambasadës së SHBA-së, “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së, “Themistokli Gërmenji”, “Gjergj Filipi”, “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, “Faik Konica” dhe “Skerdilajd Llagami”.

 

 

ME TE LEXUARAT