Ishte nisur drejt Anglisë, zbulohet arsyeja pse Diogo Jota po udhëtonte me makinë dhe jo me avion
Aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit të njohur të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij më të vogël, Andre Jota, mund të ishte shmangur. Sipas mediave portugeze, Lamborghini me të cilin po udhëtonin vëllezërit Jota doli nga rruga në autostradën A-52, pranë Cernadillës, vetëm 15 km nga kufiri me Portugalinë.
Dyshohet se një nga gomat e makinës superluksoze ka shpërthyer gjatë një parakalimi, çka ka bërë që automjeti të humbasë kontrollin, të rrokulliset dhe më pas të përfshihet nga flakët.
Udhëtimi kishte si destinacion përfundimtar qytetin portual Santander, prej nga ata do të merrnin tragetin për në Plymouth të Anglisë. Diogo Jota, sipas burimeve mjekësore, kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri dhe mjekët i kishin këshilluar të shmangte fluturimet, ndaj kishte zgjedhur rrugën tokësore dhe detare për t’u kthyer në Angli.
CNN Portugal raportoi se futbollisti 28-vjeçar ishte nisur për në Liverpool, ku pritej t’i bashkohej skuadrës për stërvitjet para-sezonale që nisin të hënën. Ai kishte vetëm pak ditë që ishte martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë, Rute, në një ceremoni në qytetin e tij të lindjes, Porto, më 22 qershor.
Gazetari sportiv Victor Pinto, në një lidhje për CMTV në Portugali, deklaroi: “Diogo nganjëherë zgjidhte të udhëtonte me makinë për shkak të disa shqetësimeve në mushkëri, jo të rënda. Dhe, siç dihet, ekziston një traget që lidh Spanjën me jugun e Anglisë”.