Aksident në autostradën Rrogozhinë-Lushnje: Makina përplaset me zetorin, tre të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar në autostradën Rrogozhinë–Lushnje, në afërsi të fshatit Golem, ku një automjet tip Volkswagen Golf është përplasur me një mjet bujqësor tip zetor.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ndodhur nga pas dhe ka qenë mjaft e fortë, duke bërë që mjeti bujqësor të shtyhet për disa dhjetëra metra përgjatë rrugës. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar – drejtuesi i zetorit dhe dy pasagjerë që ndodheshin në automjet.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën mjekësore dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet e para lidhen me shpejtësinë e lartë të automjetit në momentin e përplasjes, ndërsa policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit. Ndërkohë, qarkullimi në këtë segment është shoqëruar me vështirësi për disa minuta pas ngjarjes.


