Gjykata e Posaçme dënon Rezart Taçin me 11 vite burg për pastrim parash të mafies italiane

Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda ka shpallur sot vendimin ndaj biznesmenit shqiptar Rezart Taçi, i cili u gjet fajtor për pastrim parash në favor të mafies italiane, Cosa Nostra, dhe u dënua me 11 vite burgim. SPAK kishte kërkuar 13 vite burg.
Prokurori Klodian Braho, gjatë seancës, kërkoi gjithashtu konfiskimin e mbi 18 milionë eurove të depozituara në një llogari në Tiranë dhe që u tentua të shpërndaheshin në llogari në Hong Kong dhe Singapor.
Paratë ishin pjesë e një skeme për pastrimin e fondeve të mafies, ku biznesmeni shqiptar dyshohet se do të fitonte rreth 3 milionë euro.
Operacioni i hetuar nga prokurori Braho ka përfshirë edhe disa shtetas italianë, përfshirë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, të cilët janë hetuar për favorizimin e Cosa Nostras.
Paratë u depozituan në një bankë të nivelit të dytë, me pretendimin se do të investoheshin në hidrokarbure.
SPAK ka përdorur si prova edhe një draft-marrëveshje që parashikonte një hua prej 18 milionë eurosh me normë interesi 5%, duke treguar qartësisht përpjekjen për të legjitimuar fondet.
Falë ndërhyrjes së SPAK, një pjesë e vlerës monetare u bllokua dhe konfiskua më parë me vendim gjyqësor.


