Kina dhe Rusia votojnë kundër rezolutës në Këshillin e Sigurisë së OKB për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Aleatët e Iranit, Kina dhe Rusia, votuan kundër një rezolute të Këshillit të Sigurisë të OKB-së që synonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe sigurimin e kalimit të lirë të anijeve tregtare.
Projekt-rezoluta, e sponsorizuar nga Bahreini, kërkonte që vendet të koordinonin masa mbrojtëse për një tranzit të sigurt, duke përfshirë edhe shoqërimin e anijeve.
Ky version ishte i zbutur krahasuar me draftin origjinal, i cili mund të kishte autorizuar përdorimin e forcës për të garantuar lundrimin.
Nga 15 vende, 11 votuan pro, 2 abstenuan dhe 2 e kundërshtuan. Ambasadori i SHBA-së, Michael Waltz, kritikoi Kinën dhe Rusinë, duke i akuzuar se mbështesin “një regjim që kërkon të frikësojë Gjirin Persik”.
Nga ana tjetër, ambasadori rus, Vasily Nebenzya, deklaroi se rezoluta mund të krijonte “një precedent të rrezikshëm” për të drejtën ndërkombëtare dhe përpjekjet për paqe.
Ambasadori izraelit, Danny Danon, vuri në dukje se mbështetja e gjerë nga shumica e vendeve tregon angazhimin global për të ruajtur lirinë e lundrimit dhe për t’u përballur me kërcënimet ndaj rrugëve ndërkombëtare tregtare.


