Shtëpia e Bardhë: Vetëm Trump i di hapat e ardhshëm ndaj Iranit

Pak orë përpara skadimit të ultimatumit të Uashingtonit ndaj Teheranit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se vetëm presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka informacion për veprimet e mundshme ndaj Iranit.
“Irani ka afat deri në orën 20:00 me orën e Uashingtonit për të shfrytëzuar mundësinë dhe për të arritur një marrëveshje me SHBA.
Vetëm presidenti e di ku ndodhemi dhe çfarë do të bëjë”, tha ajo, duke mos dhënë detaje shtesë për skenarin e veprimeve në vijim.
Deklarata erdhi si përgjigje ndaj pyetjeve të mediave mbi pretendimet se SHBA mund të përdorë armë bërthamore kundër Iranit dhe raportimet për ndërprerjen e komunikimit nga Teherani.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.
Reagimi pasoi paralajmërimin e Trump se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer kurrë më”, vetëm pak orë para përfundimit të ultimatumit.
Ndërkohë, në rrjetet sociale po qarkullon një postim që lidh zëvendëspresidentin amerikan JD Vance me retorikën e ashpër të Trump, duke lënë të kuptohet mundësia e përdorimit të armëve bërthamore.


