Arrestohet biznesmeni që dhunoi pronarin e lokal ‘Tokyo’ në Tiranë, pranga edhe ish-kreut të FRPD në Kavajë për atentat (FOTO)

Aktualitet

Arrestohet biznesmeni që dhunoi pronarin e lokal ‘Tokyo’

Ferhat Kaja, pronari i bar kafe “Stockholm”, ishte në kërkim prej datës 21 korrik të këtij viti, kur policia e shpalli të dyshuar për dhunimin e pronarit të lokal “Tokyo”, një tjetër lokali në Tiranë, në kulmin e nisjes së aksionit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

Këtë të premte, policia e prangosi Ferhat Kajën në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, pronarit 31-vjeçar të “Stockholm” iu gjet një sasi municioni luftarak, të cilat policia tha se i sekuestroi.

Arrestohet biznesmeni që dhunoi pronarin e lokal ‘Tokyo’

Ai ndodhej në makinën e një tjetër të arratisuri të drejtësisë. Në timon ndodhej i kërkuari për vrasje në tentativë, Kid Kazazi, ish-kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në qytetin e Kavajës. 3 muaj më parë, Gjykata e Durrësit i kishte caktuar në mungesë masë arresti në burg për veprat penale vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Burime nga policia sqaruan për Report Tv, se Kazazi ishte ndaluar 3 ditë më parë për verifikim, kur i kishte paraqitur efektivëve një kartë italiane me emrin Keyan Rama dhe patentën me të njëjtin identitet. Efektivët dyshuan se këto mjete identifikimi mund të ishin të falsifikuara, siç në fakt rezultuan në fund të hetimeve, dhe e vunë në vëzhgim derisa e ndaluan këtë të premte, bashkë me shokun e arratisë.

Atentati për të cilin Kid Kazazi akuzohet u shënua më 30 maj të këtij viti, në Fllakë të Durrësit. Nga automjeti i tij, ai qëlloi me armë zjarri drejt një makine në lëvizje dhe la të plagosur 36-vjeçarin Arbër Goreja. Fatmirësisht shpëtuan 2 të mitur që ishin më të në makinë. Shkak u dyshua hakmarrja, pasi Kazazi nuk ia falte Arbër Goresë disa grushte në fytyrë ndaj babait të tij të moshuar.

"Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, është lokalizuar dhe kapur shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja në rrethana cilësuese", mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. 30-vjeçari, me datë 30.05.2025, në Fllakë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku udhëtonin 3 shtetas.

Në vijim të operacionit është arrestuar dhe shtetasi F. K., 31 vjeç, i cili ndodhej bashkë me 30-vjeçarin në një automjet. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka përkrahur dhe ndihmuar 30-vjeçarin të fshihej", njoftoi Policia e Tiranës. 
Ndërkohë, shoku që u arrestua me të në Tiranë, Ferhat Kaja kërkohej bashkë me të vëllanë, ortakë në lokal “Stockholm”, për dhunën me grushte e sende të forta ndaj Laert Kasajt, pronarit të bart-restorant “Tokyo”, të cilin e akuzonin se i spiunoi te kryeministri për hapësirën e zaptuar publike. Sot, të dy lokaleve, si “Stockholm” ashtu edhe “Tokyo”, u janë shembur nga IMT strukturat e jashtme pa leje.

ME TE LEXUARAT