Skandali në Itali/ Foto të vajzave dhe kryeministres Meloni në faqet pornografike! Identifikohet administratori i platformës
Hetimi për publikimin dhe shpërndarjen e imazheve të vjedhura të grave – mes tyre edhe figura publike si kryeministrja italiane Giorgia Meloni – në platforma pornografike të paligjshme si “Phica.eu”, “Phica.net”, “Comeup” dhe të tjera, ka hyrë në një stad të avancuar.
Policia Postare italiane ka identifikuar tashmë administratorin kryesor të këtyre faqeve, një shtetas italian, si dhe disa bashkëpunëtorë të tij, pavarësisht se serverët e platformave ndodhen jashtë Italisë. Raporti i parë pritet t’i dërgohet së shpejti Prokurorisë së Romës, ndërsa hetime paralele po zhvillohen edhe në qytete të tjera, pas denoncimeve të paraqitura nga viktimat – shumica gra, përfshirë edhe zyrtare të larta shtetërore.
Akuza të shumta për administratorët dhe përdoruesit
Hetimi nuk kufizohet vetëm te menaxhuesit e faqeve, por është shtrirë edhe te përdoruesit që kanë postuar komente fyese ose kërcënuese nën imazhet e publikuara. Shumë prej tyre tashmë janë identifikuar dhe përballen me akuza të rënda për shpifje, dhunë private, nxitje për krim dhe përbuzje të zyrtarëve shtetërorë.
Po ashtu, hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e mundshme mes këtyre platformave dhe faqeve të tjera në rrjetin e errët, ku dyshohet se qarkullojnë materiale edhe më shqetësuese, përfshirë imazhe të vajzave të mitura.
Rrjetet sociale nën lupë: faqja “Mia Moglie”
Policia ka hapur hetim edhe për një faqe në Facebook të quajtur “Mia moglie”, e cila u mbyll pas më shumë se 3,000 raportimesh në vetëm pak ditë. Kjo faqe ishte shndërruar në një pikë grumbullimi për shpërndarje imazhesh pa pëlqimin e grave, të shoqëruara me komente seksiste dhe denigruese – në të njëjtën linjë me praktikat e “Phica”.
Padia kolektive kundër Meta-s dhe administratorëve
Avokatja e njohur italiane Annamaria Bernardini de Pace, në bashkëpunim me avokatin David Leggi, ka paralajmëruar një padi kolektive kundër Facebook (Meta), duke e akuzuar kompaninë për mosveprim dhe dështim në ndalimin e përmbajtjeve të paligjshme. Sipas saj, ky është një rast flagrant i “shkeljes së dinjitetit femëror”, dhe u ka bërë thirrje të gjitha grave të prekura të bashkohen në këtë proces gjyqësor. Në të njëjtën kohë po shqyrtohet ngritja e dy padive të tjera për revenge porn, ngacmim dhe dhunë online.
Viktimat marrin vetë iniciativën
Në qytete si Xhenova, disa gra të prekura kanë marrë vetë iniciativën për të identifikuar dhe ekspozuar publikisht përdoruesit që kanë shpërndarë imazhe të tyre në këto platforma. Përmes rrjeteve sociale, ata kanë arritur t’i bëjnë të njohur personat për komunitetin, edhe pse këta të fundit fshiheshin pas profileve anonime. Për hetuesit, megjithë përpjekjet e tyre për të zhdukur gjurmët, tashmë është shumë vonë.