Dështon nisma e Viktor Orban! Ursula von der Leyen i "mbijeton" mocionit të mosbesimit
Ka dështuar votimi i mosbesimit për Presidenten e komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ky votim, i pari i këtij lloji në Parlamentin Evropian në mbi një dekadë, është organizuar nga ligjvënës të ekstremit të djathtë, teksa nismëtar ishte kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Mocioni përbëhej nga një mori dyshimesh kundër von der Leyenit, përfshirë mesazhet private me shefin e fabrikës “Pfizer”, që ka prodhuar vaksina kundër koronavirusit, për keqpërdorim të fondeve të BE-së dhe për ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani dhe Rumani.
Shefja e BE-së ka pasur shpesh mospajtime me Orbanin për shkak të veprimeve të tij në Budapest që kanë dëmtuar demokracinë. Prandaj, Komisioni Evropian ia ka ngrirë qasjen në miliarda euro në fonde të BE-së.
Ky votim ka hapur rrugën për shumë kritika ndaj von der Leyenit, e cila ka qenë në krye të nismës së BE-së për të gjetur vaksina për gati 450 milionë banorë gjatë pandemisë, por edhe për Partinë e saj Popullore Evropiane, e cila përbën grupin më të madh politik në parlament.