Katër të dyshuar për vr*sjen e Renis Dobrës, del ekspertiza paraprake: 23-vjeçari ka humbur jetën nga...
Policia e Matit ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, që u gjet i pajetë në afërsi të liqenit të Shkopetit. Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën.
Ata kanë thënë se problemet që kishin me 23-vjeçarin i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, u liruan nga policia.
Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.
Në vendin tonë 23-vjeçari nuk ka precedentë të theksuar kriminal, por i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash.