“Ultimatumi” i Ramës/Drejtorët e Bashkisë së Fier japin dorëheqjen një nga një
Në Bashkinë e Fierit kanë nisur dorëheqjet e drejtorëve të këtij institucioni, me përjashtim të atyre që janë emëruar pas muajit janar.
Burime për mediat bëjnë me dije se pas urdhrit të dhënë dy ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, drejtorët kanë nisur që të dorëzojnë dorëheqjet e tyre pranë kryetarit Armando Subashi.
Ndërkohë, burime nga selia rozë në Fier bëjnë me dije se në mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë kreu i qeverisë kërkoi dorëheqjen e drejtorëve ndërkohë që sqaroi se emërimet e bëra pas muajit janar do të përjashtohen nga ky urdhër.
E teksa ende dy nënkryetarët Baso Bregu dhe Suela Prifti nuk kanë dhënë dorëheqjen, mësohet se është përzgjedhur emri i ri i cili do të t’i pasojë.
Bëhet fjalë për ish-deputetin e PDIU-së, Nustret Avdulla, i cili në vitin 2021 iu bashkua Partisë Socialiste. Përgjatë ditëve të fundit kryeministri Edi Rama ka nisur një “tur” në të gjitha bashkitë e vendit.
Fillimisht u ndal në atë të Vlorës e më pas vazhdoi me Fierin e Durrësin. Kryeministri ka theksuar nevojën për energji dhe prurje të reja në administratë, si e vetmja mënyrë për t’u qasur sfidave të kohës.