Vrasja e 23-vjeçarit në Mat - Autorët dyshohet se i bënë pritë të veshur si policë

Aktualitet

Vrasja e 23-vjeçarit në Mat - Autorët dyshohet se i

Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet pa jetë në breg të liqenit të Shkopetit, në Mat. Sipas burimeve nga hetimet, dyshohet se i riu është rrëmbyer nga persona të armatosur, të cilët ishin veshur si efektivë policie dhe i kanë bërë pritë në rrugë.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një segment pranë zonës së Shkopetit, ku autorët i kanë bërë shenjë të ndalojë, duke përdorur identifikim të rremë policor.

Në atë moment, një automjet tjetër që kalonte rastësisht është ndalur për të ofruar ndihmë, por personat e armatosur kanë kërcënuar drejtuesin që të largohet menjëherë.

Pasi kanë izoluar Renisin, një ose disa prej autorëve janë futur në makinën e tij dhe e kanë marrë me forcë, nën justifikimin se do ta “shoqëronin në komisariat”. Trupi i pajetë i të riut është gjetur më vonë në breg të liqenit, me shenja dhune dhe mavijosje në qafë, që lënë të dyshohet se ai është mbytur me litar.

Familjarët e viktimës mohojnë që ai të ketë qenë i përfshirë në ndonjë konflikt apo çështje kriminale. Babai i tij, në një deklaratë jashtë kamerës, u ka bërë thirrje autoriteteve që të përdorin kamerat e sigurisë në rrugën nacionale, për të identifikuar mjetet e përfshira dhe autorët.

Edhe familjarë të tjerë kanë kërkuar që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht, duke e cilësuar një “akt të rëndë kriminal” që ka lënë familjen në shok. 

Aktualisht, policia dhe prokuroria nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi dinamikën e ngjarjes, ndërsa pritet raporti i Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes.

ME TE LEXUARAT