Vrasja e Renis Dobrës, zbardhen dy pistat kryesore të hetimit! Dyshohet se 23-vjeçari ishte i përfshirë në trafik droge, një muaj më parë…
Janë zbardhur pistat kryesore të hetimit mbi vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë në ujërat e Liqenit të Shkopetit dy ditë më parë.
Burime për News24 bëjnë me dije se aktualisht po hetohet në dy pista kryesore që lidhen me të shkuarën e të riut gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Sipas të dhënave të para, Dobra kishte pasur probleme me ligjin në shtetin gjerman, ku mësohet se ka qëndruar për një periudhë kohe në burg. Pikërisht kjo e kaluar, sipas hetuesve, po shihet si një element kyç që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit të krimit.
Pista tjetër e hetimit lidhet me dyshimet për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale, konkretisht në trafikun e lëndëve narkotike. Grupi hetimor po punon për të verifikuar nëse viktima ka pasur konflikte të hapura me persona të lidhur me këtë aktivitet, qoftë në Shqipëri apo jashtë saj. Po ashtu, mësohet se i riu ishte përfshirë rreth një muaj më parë në një konflikt në Tiranë, ngjarje e cila mund të ketë lidhje me vrasjen e tij.
I riu u gjet bashë me mjetin e tij në liqen, e cila është nxjerrë nga palombarët mesditën e djeshme (10 Korrik) teksa drejt vendngjarjes shkuan edhe ekspertë të kriminalistikës. Kujtojmë që trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet mëngjesin e së mërkurës (9 Korrik) pranë liqenit. Në trupin e viktimës u vunë re plagë në trup dhe shenja të nxira në qafë. Nga ekspertiza rezultoi se Renis Dobra ishte mbytur dhe më pas ishte hedhur drejt liqenit së bashku me makinën.
Ndërkohë plagët e gjetura në trupin e viktimës, sipas ekspertizës, janë shkaktuar gjatë rënies së automjetit në humnerë. Burime bëjnë me dije se ekspertiza mjeko-ligjore po kryhet nga një grup prej tre mjekësh, të cilët janë angazhuar për të përcaktuar me saktësi rrethanat e vdekjes.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe motivin e krimit. Mister mbetet telefoni i viktimës. Nuk dihet nëse është marrë nga autorët apo ndodhet në brendësi të automjeti.