EMRI/ I dënuar në Itali me 12 vite burg për trafik droge, arrestohet 43-vjeçari në Durrës! Pritet ekstradimi i tij

Një 43-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Durrës. Arrestimi i ti ka ardhur pasi 43-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.
I arrestuari është identifikuar si Rexhep Muka alias Kreshnik Muka. Sipas njoftimit të policisë, Muka është i dënuar nga Gjykata e Apelit Cagliari me 12 vite burg për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Nga ky dënim i kanë mbetur edhe për të vuajtur 9 vite e 6 muaj burg.
“Policia e Shtetit/ Kontrolle dhe operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 82”. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, i dënuar në Itali për trafikim të narkotikëve.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës gjurmuese për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 82”.
Në kuadër të operacionit, në qytetin e Durrësit, nga Forcat Operacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe ndalimi i personit në kërkim ndërkombëtar, shtetasit Rexhep Muka alias Kreshnik Muka, 43 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Cagliari/Itali, në vitin 2021, e ka dënuar me 12 vite burg (mbetur për të vuajtur 9 vite e 6 muaj burg), për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për realizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë”, njofton policia.


