Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të ulet më tej në tremujorin e fundit të vitit
Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar do të ulet përsëri në tremujorin e fundit të vitit.
Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuar) do të ketë vlerën 64.9 miliardë lekëve, në rënie me 3.4% krahasuar me tremujorin e tretë dhe në rënie me 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Huamarrja gjatë tremujorit të katërt do të jetë e dominuar nga obligacionet, si në numër ankandesh, ashtu edhe në vlerë emetimi. Nga 18 ankande gjithsej, 13 prej tyre do të jenë ankande për emetim obligacionesh, me maturim nga dy deri në pesëmbëdhjetë vjet. Obligacionet do të përbëjnë gjithsej 54% të shumës së planifikuar të huamarrjes për tremujorin e fundit.
Rritja e maturitetit mesatar të borxhit të brendshëm është një tendencë disavjeçare, që Ministria e Financave e ka ndërmarrë me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.
Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 1045 ditë, nga 923 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2024. Maturiteti mesatar i borxhit është aktualisht në nivelet më të larta historike.
Kalendari i huamarrjes përfshin edhe rihapje të ankandeve të fundit të obligacioneve afatgjata, 10-vjeçare dhe 15-vjeçare, duke ofruar alternativa me kthime më të larta për investitorët e interesuar.
Ndërkohë, ankandet e bonove të thesarit, po përdoren më pak, sidomos ato me maturim më të shkurtër se një vit. Në të gjithë tremujorin e fundit është parashikuar vetëm një ankand i tillë , me maturim 6-mujor. Katër ankandet e tjera janë ankande të bonove 12-mujore, që, për nga shuma e emetimeve, ngelen instrumenti kryesor i huamarrjes së brendshme.
Në vitet e fundit, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm ka ndjekur një tendencë në rënie. Kjo lidhet pjesërisht me një politikë fiskale më konsoliduese, të karakterizuar nga një ulje e deficiteve dhe borxhit publik. Pjesërisht, ulja e huamarrjes së brendshme është e lidhur me rritjen graduale të huamarrjes në tregjet e jashtme financiare, nëpërmjet emetimeve të Eurobondeve.
Tregu i instrumenteve afatshkurtra vazhdon të karakterizohet nga yield-e shumë të ulëta, për shkak të kërkesës së lartë të investitorëve (kryesisht banka) nga njëra anë dhe një tendencë në ulje të huamarrjes së brendshme të qeverisë. Yield-et e bonove në tregun financiar kanë zbritur afërsisht në nivelet e krizës inflacioniste të vitit 2022. Por, marzhi mbi normën bazë të interesit aktualisht është më i ulët dhe pranë niveleve minimale historike.
Ndërkohë, për instrumentet më afatgjata yield-et janë në një fazë korrektimi të lehtë në rritje, pasi patën prekur nivelet më të ulëta historike gjatë tremujorit të dytë të vitit.