Krimi që po trondit vendin/ I riu nga komuniteti rom rreh për vdekje 48-vjeçarin, plagos dhe shqiptarin

Një ngjarje e rëndë kriminale e ndodhur mbrëmë në qytetin Novo Mesto, në juglindje të Sllovenisë, ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë dorëheqjen e dy ministrave të kabinetit qeveritar.
Sipas mediave lokale, incidenti ka tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet ndëretnike, pasi autori i dyshuar i krimit i përket komunitetit Rom.
Autoritetet njoftojnë se viktima, një 48-vjeçar slloven, ishte nisur për të marrë fëmijën e tij, kur pranë një restoranti të njohur u sulmua brutalisht nga disa persona të komunitetit Rom. Ai pësoi plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spital. Policia ka arrestuar një 20-vjeçar Rom si autorin kryesor të dyshuar.
Mediat raportojnë gjithashtu se para se të ndodhte vrasja, i njëjti person kishte sulmuar një të ri shqiptar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Identiteti i tij nuk është bërë publik.
Banorët e Novo Mestos shprehen se qyteti është prej kohësh i prekur nga nivele të larta të krimit, përfshirë vjedhje dhe dhunë, për të cilat ata fajësojnë shpesh anëtarë të komunitetit Rom.
Pas ngjarjes, Ministri i Brendshëm, Bostjan Poklukar, dhe Ministrja e Drejtësisë, Andreja Katic, kanë dhënë dorëheqjen, të cilat janë pranuar nga kryeministri Robert Golob.
Ndërkohë, mijëra qytetarë në mbarë vendin kanë dalë në protesta paqësore në heshtje, në shenjë solidariteti me viktimat dhe kundër dhunës.


