Iu gjetën në makinë lëndë narkotike gati për shitje, arrestohet në Elbasan 37-vjeçari

Aktualitet

Iu gjetën në makinë lëndë narkotike gati për

Policia e Elbasanit, mbrëmjen e djeshme, ka vënë në pranga një 37-vjeçar pasi u kap duke shitur lëndë narkotike, dhe një 34-vjeçar për moskallëzim krimi.

Sipas raportimeve nga policia, në pranga kanë rënë F. P., 37 vjeç, drejtuesi i automjetit, dhe L. Xh., 34 vjeç, pasagjeri, të cilëve gjatë kontrollit në automjet ju gjetën dhe u sekuestruan, si provë materiale, një shkop metalik me hapje, si dhe lëndë narkotike të dyshuara kokainë dhe kanabis, të ndara në doza gati për shitje.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bulevardi”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-F. P., 37 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

-L. Xh., 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 34-vjeçari me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Këta shtetas u kapën në flagrancë në bulevardin “Qemal Stafa”, duke udhëtuar me automjetin tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin F. P. dhe pasagjer shtetasin L. Xh.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një shkop metalik me hapje, lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe kanabis, të ndara në doza gati për shitje.

Gjithashtu u sekuestruan automjeti, 3 aparate celularë dhe një shumë parash në euro dhe lekë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.

ME TE LEXUARAT