Kryebashkiaku i Hasit: Nuk kemi luksin dhe as kapacitet për urdhrat e Ramës
I komentuar si kryebashkiaku që nuk po i bindet urdhrave verbalë të kryeministrit për të kërkuar dorëheqjet e vartësve, kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti, shprehet se bashkia që ai drejton, ndonëse me mangësi në kapacitetet njerëzore, është përpjekur të përmbushë të gjitha detyrimet e saj.
Sipas tij, urdhrin e kryeministrit duhet ta zbatojnë ato bashki që ndjejnë se për vite me radhë nuk e kanë kryer siç duhet punën e tyre.
“Jemi të angazhuar të respektojmë të gjitha angazhimet që kërkon qeveria për pushtetin vendor. Jemi të angazhuar të kryejmë të gjitha detyrimet që kemi. Ai nuk ka folur konkretisht me emër për bashkitë. Ka bashki që ndoshta kanë 20 vite me të njëjtën administratë dhe ndoshta ka vend për ndryshime dhe detyrimisht ata që e ndjejnë që duhet zbatuar, duhet zbatuar”, thotë Dauti për mikrofonin e A2 CNN”.
Më tej, Dauti ka argumentuar se nuk e ka luksin dhe as kapacitetet njerëzore për të kryer rotacione të tilla, edhe për faktin se punonjësit aktualë janë trajnuar vazhdimisht për të përmirësuar shërbimin ndaj publikut.
“Nuk jemi në ato kushte komode që të fillojmë nga e para, të bëjmë ndryshime që të vazhdojmë të trajnojmë prapë njerëz të tjerë, kur kemi 2 vjet që e trajnojmë administratën. Është kosto dhe nuk kemi njerëz të kualifikuar që të kryejmë ato detyrime”, thotë Dauti.
Në fund, kryebashkiaku i Hasit, i pyetur nëse do të vijojë të mos zbatojë urdhrat verbalë të kryeministrit, është shprehur: “Nuk jemi për të mos i zbatuar, por jemi të përkushtuar të zbatojmë vetëm ligjin”.
Bashkia e Hasit rezulton ndoshta e vetmja në vend që nuk ka ndërtime pa leje në hapësirat publike. Ndërkohë, ndërtimi pa leje i banesave në tokat e administruara nga vetë qytetarët është një problematikë që tashmë është referuar për zgjidhje ligjore.