Lapaj letër KQZ: ‘Lista e mbyllur’ u dorëhoq nga kandidimi, s’mund të kërkojnë tani mandat!
“Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt i është drejtuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku i kërkon pavlefshmërinë e revokimeve të dorëheqjeve nga mandati i deputetit, të kandidatëve që ndodheshin në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun Tiranë, për zgjedhjet e 11 majit.
Kjo kërkesë e Lapajt bazohet në arsyetimin që kandidatët e listës së mbyllur në Qarkun Tiranë dhanë dorëheqjen më 11 maj, para procesit të votimit dhe numërimit të votave, dhe kjo dorëheqje, sipas avokatit, është dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekziston ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.
“Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025”,- theksohet në letrën e “Shqipëria Bëhet”.
Në fund të kërkesës thuhet që në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve.
“Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur”,- përfundon kërkesa.