Kush janë kryebashkiakët e PS-së që nuk zbatuan ultimatumet e Ramës?

Politikë

Kush janë kryebashkiakët e PS-së që nuk zbatuan ultimatumet

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar të gjithë kryebashkiakëve në vend që të ndërmarrin një reformim të thellë të strukturave vartëse në bashki, duke kërkuar largimin – përmes dorëheqjes ose shkarkimit – të nënkryetarëve, drejtorëve dhe administratorëve të njësive vendore.

Zbatimi i këtij urdhri ka nisur menjëherë dhe vala e dorëheqjeve të detyruara ka përfshirë pozicione të shumta drejtuesish në nivel të lartë dhe të mesëm, kryesisht në bashkitë e drejtuara nga Partia Socialiste. Përjashtim bëjnë bashkitë nën drejtimin e Partisë Demokratike, të cilat e kanë konsideruar këtë vendim si një ndërhyrje politike.

Në shumë prej bashkive të majta tashmë ka nisur një fazë e dytë: publikimi i njoftimeve për vende të lira pune, shpesh vetëm formalisht, për të legjitimuar aplikimet pas dorëheqjeve masive. Deri tani, qindra drejtues, administratorë dhe nënkryetarë kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet e tyre.

Megjithatë, tre bashki vijojnë të qëndrojnë jashtë këtij procesi reformimi. Bëhet fjalë për bashkitë e Himarës, Skraparit dhe Konispolit. Kryetarët përkatës – Vangjel Tavo, Adriatik Mema dhe Ergest Dule – nuk i janë bindur ende urdhrit të Ramës. Sidomos Ergest Dule ka shfaqur hapur kundërshtimin e tij, edhe gjatë një takimi të fundit me Kryeministrin në Durrës, ku u përball me një reagim të fortë nga Rama, i cili i dha një ultimatum: ose jep dorëheqjen vetë, ose shkarko vartësit.

Nga ana tjetër, Vangjel Tavo ka adoptuar një qasje më të butë, duke deklaruar se ekipi i tij është i përbërë nga të rinj që do të vlerësohen mbi bazën e performancës. Ndërkohë në Skrapar, ‘furtuna’ ende nuk ka mbërritur, ndryshe nga bashkitë e tjera të Qarkut Berat, ku procesi i zbatimit të urdhrit ka nisur me ritme të shpejta.

Rreth këtyre tre kryebashkiakëve tashmë qëndron një pikëpyetje: sa gjatë do t’i rezistojnë presionit për të ndërmarrë ndryshimet që kërkon Kryeministri?

 

 

ME TE LEXUARAT