GJKKO vendos sot për fatin e Arben Ahmetaj, porosia e posaçme që gjykata i dha prokurorit të SPAK
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), do të vendosë sot për fatin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me dosjen “Buka” nëse do të kalojë apo jo për gjykim.
Burime për media kanë bërë me dije se prokurori Elvin Gogaj ka marrë porosi të posaçme nga GJKKO për të përcaktuar saktë se kush janë “viktima” në këtë dosje, shteti apo privati, ndërsa i është kërkuar që të vendosë në dispozicion të gjitha aktet hetimore, përfshirë këtu dhe deklarimet e personave të marrë në pyetje.
Kujtojmë që me vendim të SPAK, Arben Ahmetaj do të gjykohet veçmas biznesmenit Lirim Fezolli dhe të pandehurit e tjerë. Ish numri 2 i qeverisë, po hetohet për privatizimin ë një ish-furre buke.
Ndaj Ahmetajt u ngrit akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë.
Ai akuzohet në këtë dosje për një firmë të lëshuar gjatë 2014 e cila i hapi rrugën privatizimit të shoqërisë përmes ankandit të aksioneve shtetërore. Një transfertë bankare përcjellë drejt Hungarisë nga një subjekt privat.
Arben Ahmetaj ndodhet prej 2023 në arrati, pasi ka refuzuar përballjen me drejtësinë, duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht. Nga Zvicra ku ka aplikuar për azil, ai ka thënë se do të përballet me drejtësinë vetëm kur ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë.