Berisha thirrje banorëve të Thethit: Ngrihuni kundër qeverisë pas shembjes së ndërtimeve pa leje
Sali Berisha ka dalë me një reagim të ashpër ndaj qeverisë, duke iu bërë thirrje banorëve të Thethit, të cilëve u janë shembur ndërtime pa leje, që të ngrihen kundër autoriteteve dhe politikave shtetërore. Gjatë konferencës për mediat, Berisha e cilësoi këtë veprim si një hakmarrje primitive dhe gnjërëzore, pas disfatës elektorale të qeverisë, dhe tha se ajo shkatërron çdo ditë jetën dhe ekzistencën e banorëve të zonës.
Ai u ndal veçanërisht te fakti që Thethi, i njohur për kapacitetin e tij turistik me rreth 2,000 shtretër, është goditur në mënyrë të padrejtë nga këto masa, pavarësisht se një shtrat aty kushton shumë më tepër sesa në Tiranë apo bregdet, për shkak të vështirësive infrastrukturore dhe largësisë.
Berisha theksoi se kjo është jo vetëm një goditje ndaj Thethit, por edhe ndaj veriut të Shqipërisë në përgjithësi, duke e cilësuar qeverinë si një “armik të egër” që ushqen urrejtje dhe negativitet ndaj banorëve.
Ai iu bëri thirrje jo vetëm banorëve të Thethit, por edhe atyre të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, që të bashkohen në një mobilizim për të ndalur këtë “tërmet social” dhe për të marrë në dorë fatin e tyre, duke u ndarë njëherë e mirë nga politika që, sipas tij, po rrënon komunitetet dhe jetën e shqiptarëve.
Berisha përfundoi mesazhin e tij me një paralajmërim të qartë se ky është momenti për t’u ngritur kundër “kësaj të keqeje të madhe”, që sipas tij po shemb çdo ditë jetën dhe dinjitetin e banorëve të Thethit dhe gjithë veriut.