Kushtetuesja pranon ankimimin e Ramës, rikthehet në detyrë Belinda Balluku

Belinda Balluku është rikthyer në detyrën e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankimimin e bërë nga Kryeministri Edi Rama, pas pezullimit që u vendos nga GJKKO për numrin dy të qeverisë.
Reagimi i Kushtetueses:
Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.


