Mijëra pensionistë pa bonus në janar, Ministria e Ekonomisë: Skema do të rishikohet!

Rreth 12% e 762,740 pensionistëve në vend kanë mbetur jashtë skemës së bonusit mujor gjatë muajit janar, sipas të dhënave zyrtare. Konkretisht, 672,982 pensionistë kanë përfituar bonusin, ndërsa afro 90 mijë të tjerë nuk janë përfshirë në skemë.
Sipas shifrave, mbi 36 mijë qytetarë me pension mbi 40 mijë lekë nuk janë kualifikuar për përfitim. Këtij grupi i shtohen edhe rreth 54 mijë pensionistë të tjerë që janë penalizuar për shkak të kritereve dhe tavaneve të përcaktuara nga skema aktuale.
Si funksionon skema
Bonusi prej 1,800 lekësh në muaj u jepet pensionistëve urbanë me vite të plota pune, të cilët nuk përfitojnë më shumë se 40 mijë lekë pension në muaj. Ndërsa pensionistët urbanë me pension të pjesshëm përfitojnë 800 lekë, nëse pensioni i tyre nuk kalon 22 mijë lekë.
Për pensionet rurale, përfitimi i bonusit prej 1,000 lekësh kushtëzohet nga një tavan prej 18 mijë lekësh në muaj. Megjithatë, aplikimi i këtij kufiri ka sjellë situata ku përfitimi është i pjesshëm. Për shembull, një pensionist rural që merr 17,500 lekë përfiton vetëm 500 lekë bonus, pasi përfitimi i plotë do ta tejkalonte tavanin prej 18 mijë lekësh të përcaktuar nga qeveria.
Nga përfituesit e muajit janar, vetëm 33% kanë marrë bonusin maksimal prej 1,800 lekësh, ndërsa pjesa tjetër ka përfituar shuma më të ulëta.
Rishikimi i skemës në vitin 2027
Nëse skema mbetet e pandryshuar, numri i pensionistëve që do të mbeten jashtë përfitimit pritet të rritet në vitin 2027, pasi vlera mujore e bonusit është parashikuar të dyfishohet.
Në një reagim zyrtar për Report TV, Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se skema do të jetë objekt rishikimi në kuadër të analizës së politikave sociale dhe reformës së sigurimeve shoqërore.
Sipas Ministrisë, skema e kompensimit do të vijojë të zbatohet për pensionet deri në 40 mijë lekë në muaj, ndërsa fashat konkrete të përfitimit dhe masa e kompensimit mund të rishikohen në varësi të:
ecurisë së inflacionit,
qëndrueshmërisë financiare të skemës,
rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, qeveria ka parashikuar edhe dhënien e shpërblimit të fundvitit për pensionistët, i cili pritet të përfshihet në paketën e akteve që do të miratohen brenda vjeshtës së këtij viti./NOA


