Ndërtoi resortin 5600 m2 pa leje, lihet në burg ish-kreu i IMT-së së Durrësit

Në Gjykatën e Durrësit sapo ka përfunduar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-kreut të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ardian Halili.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Paulin Çera, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Halilin, i arrestuar pak ditë më parë nga policia e Durrësit, përballet me tre akuza “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Seanca gjyqësore vjen një ditë pas shembjes së kompleksit të tij “Saint Michelle Residence” në zonën e Shetaj, Ishëm, në Kepin e Rodonit. Shembja u krye me shpërthim të kontrolluar dhe më pas me fadroma.
Gjykata caktoi masën e sigurisë për Halilin, çështja e të cilit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të përmasave të ndërtimit pa leje, abuzimit me detyrën dhe aferave të mundshme korruptive.
Halili u mbrojt në seancë nga bashkëshortja e tij, ish-prokurorja Rabiana Halili. Ai nuk ka pranuar veçanërisht akuzën e shpërdorimit të detyrës duke deklaruar se ka bërë punimet përmes vënies në dijeni të autoriteteve vendore, ndonëse nuk kanë qenë leje për ndërtim, po për punime.