“Nuk do dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti”/ Dhoma e Avokatëve reagon ashpër pas deklaratës së prokurorit të SPAK
Pasi prokurori i SPAK Behar Dibra fyeu në sallën e gjykatës një mbrojtës që po parashtronte kërkesat për klientin e tij, ka reaguar ashpër Dhoma e Avokatëve.
“Nuk do dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti”, ishte shprehja gjatë gjykimit e prokurorit Behar Dibra që ka shqetësuar dhomën e avokatisë, e cila e denoncon publikisht për denigrim personal të avokatëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Në reagimin e dhomës së avokatisë shprehet shqetësimi për sjelljen e prokurorit Dibra gjatë seancës së datës 10 korrik dhe dënon me forcë gjuhën e papërshtatshme duke e konsideruar cënim të rëndë të dinjitetit profesional dhe shkelje flagrante të parimeve të procesit të rregullt ligjor me barazi të palëve. Mbi të gjitha, thuhet më tej, sjellja e prokurorit përbën shkelje të kodit të etikës së një prokurori.
Procesi ku ndodhi incidenti njihet si gjyqi i plumbit të artë. Rezulton se në këtë gjykim veç Gentian Rumanos është denigruar nga i njëjti prokuror edhe avokatja Elda Zotaj.
Tensionet në seancat e fundit që nuk po zhbllokohen lidhen me kërkesat e avokatëve për të marrë dëshmitë e Erjon Alibej, ndërkohë që prokuroria refuzon t’i vendosë në dispozicion. Çështja mbetet në pritje për të dëgjuar të penduarin e tretë Skerdi Tase. Ndërkohë Dhoma e Avokatisë thotë se do të monitorojë jo vetëm këtë proces por edhe të tjera ku prokurorët cënojnë standardet.
Nga ana tjetër për gjykime të ndryshme si dëgjuese e të dyja palëve edhe e prokurorisë edhe e avokatëve, gjykata ka gjobitur prej fillimit të vitit deri më tani 25 avokatë të cilët kanë munguar pa arsye. Shumat vajojnë nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë.